Home Kosovë Ambasadori i ri i BE-së: Dua që kosovarët të udhëtojnë sa më shpejtë pa viza

Ambasadori i ri i BE-së: Dua që kosovarët të udhëtojnë sa më shpejtë pa viza

by rks2008

Shefi i ri i Zyrës së BE-së, në Kosovë, Tomáš Szunyog, ka marrë detyrën e tij këtë javë.

Përmes një shkrimi autorial, ai ka ndarë përshtypjet e para pas ardhjes në Kosovë, përcjellë Klan Kosova.

Szunyog shkruan se BE-ja është investitori, donatori dhe partneri më i mirë tregtar i Kosovës.

”Ne kemi krijuar mijëra vende pune, kemi mbështetur qindra kompani dhe kemi ndërtuar shumë shkolla. Falë fondeve të BE-së, Prishtina sot ka furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm dhe dhjetëra mijëra qytetarë gëzojnë ngrohje qendrore të klasës së parë”, shkruan ai duke thënë se gjatë 20 vjetëve të fundit, BE-ja ka investuar mbi 2.5 miliardë euro në çdo segment të shoqërisë kosovare.

Ambasadori i ri i BE-së në Kosovë, dëshiron që qytetarët e Kosovës të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur.

Szunyog shton se e inkurajon fakti që dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është rihapur dhe që BE-ja ka emëruar Miroslav Lajçak-un si Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për Dialogun.

Sipas tij sa më shpejt që të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve, aq më parë Kosova do të jetë në gjendje të ecë përpara.

”Më ka rënë të trajtoj çështje që kanë të bëjnë me Kosovën që nga viti 1998 dhe kam vizituar Prishtinën disa herë në cilësinë e zyrtarit shtetëror si përfaqësues i vendit tim. Kam mësuar se njerëzit në Kosovë janë shumë të hapur, mikpritës dhe punëtorë.

Kam mbërritur në Kosovë në kohërat sfiduese të COVID-19, kur shumë njerëz në botë po përjetojnë vështirësi nga aspekti mendor, fizik dhe ekonomik. Qytetarët e Kosovës nuk përbëjnë përjashtim. Ndiej dhembshuri për të gjithë ata që po vuajnë dhe për të afërmit e tyre. Për të korrë sukses në luftën kundër pandemisë është thelbësore që të jemi përgjegjeshëm, të mbrojmë njëri-tjetrin dhe të ndjekim rekomandimet e autoriteteve.

BE-ja tashmë i ka dhënë Kosovës 168 milionë euro për të adresuar aspektet shëndetësore dhe shoqërore-ekonomike të pandemisë së COVID-19. Pararendësja ime, Ambasadorja Apostolova, ka bërë një punë të shkëlqyer në këtë drejtim. Dua t’ju siguroj që kjo çështje do të mbetet prioriteti im kryesor.

Krahas asistencës në lidhje me COVID-19, unë do të vazhdoj të promovoj prioritetet tashmë të vendosura dhe afatgjata të BE-së: arsim më të mirë për të gjithë, më shumë siguri juridike, mbështetje për rritjen ekonomike dhe klimë të përmirësuar për investime. Është thelbësore që qytetarët të kenë besim tek institucionet dhe të dinë që përparimi i tyre në jetë është rezultat i punës dhe i meritave të tyre. Unë do të vazhdoj të bëj thirrje për luftë efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Forcimi dhe përmirësimi i procesit zgjedhor gjithashtu duhet të merret si prioritet.

Kosova gjithashtu duhet t’i përqendrojë më shumë përpjekjet e saj për çështjet mjedisore. BE-ja po investon 76 milionë euro për të ulur ndotjen dhe rreziqet ndaj shëndetit nga Termocentrali Kosova B. Rimëkëmbja e gjelbër paraqet një mundësi për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës.

Një zbatim më i fortë i Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit (MSA), që Kosova ka nënshkruar me BE-në, është në interesin tonë të ndërsjellë. Jam i bindur se sa më shumë që të zbatohet MSA-ja, aq më shumë do të përmirësohet jeta e qytetarëve: standardi i jetesës do të rritet dhe korrupsioni do të ulet. Zbatimi i MSA-së është shansi i madh i Kosovës për përparim.

Kosova gjithashtu ka nevojë për shërbime më të mira sociale, më shumë barazi gjinore, më pak dhunë në familje, shoqëri më të fortë civile, media më të pavarura, investime në kulturë, dhe më shumë mbështetje dhe bashkëndjenjë për komunitetet e ndryshme dhe qytetarët nevojtarë.

Gjatë 20 vjetëve të fundit, BE-ja ka investuar mbi 2.5 miliardë euro në çdo segment të shoqërisë kosovare. Vetëm në periudhën 2014-2019, BE-ja ndihmoi Kosovën me 470 milionë euro, duke mbështetur sundimin e ligjit, të drejtat themelore, mjedisin, energjinë, arsimin, punësimin, konkurrencën, NVM-të, novacionin, bujqësinë, demokracinë dhe qeverisjen.

BE-ja është investitori, donatori dhe partneri më i mirë tregtar i Kosovës. Ne kemi krijuar mijëra vende pune, kemi mbështetur qindra kompani dhe kemi ndërtuar shumë shkolla. Falë fondeve të BE-së, Prishtina sot ka furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm dhe dhjetëra mijëra qytetarë gëzojnë ngrohje qendrore të klasës së parë.

Unë dua që qytetarët e Kosovës të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë thënë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kanë rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën. Vendimi përfundimtar tani duhet të merret nga Shtetet Anëtare të BE-së.

Përtëritja e mandatit të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së që po marr unë, tregon përkushtimin e Shteteve Anëtare të BE-së për Kosovën, meqë Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së ka rolin e përgjithshëm të koordinimit politik të BE-së në Kosovë.

Më inkurajon fakti që Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është rihapur dhe që BE-ja ka emëruar Miroslav Lajčák-un si Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për Dialogun. Sa më shpejt që të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve, aq më parë Kosova do të jetë në gjendje të ecë përpara.

Shtigjet e BE-së dhe të Kosovës gjithmonë do të jenë të bashkuara. BE-ja do të mbetet mbështetësi më i madh i Kosovës në këto periudha të vështira dhe më tej. Unë do të bëj çmos për të ndihmuar Kosovën të ecë përpara në aspekte të ndryshme të jetës që janë të rëndësishme për qytetarët. Për këtë, kërkoj mbështetjen dhe ndihmën tuaj.

Mirënjohës për mundësinë e dhënë”.

0 comment

You may also like

Leave a Comment