Home Lajme ‘Presidenti i zyreve’: Si u bë mollë sherri mes partnerëve qeverisës posti i të parit të vendit?

‘Presidenti i zyreve’: Si u bë mollë sherri mes partnerëve qeverisës posti i të parit të vendit?

by rks2008

Partnerët e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kur e kanë arritur marrëveshjen për koalicion, nuk janë marrë vesh se kush do të zgjidhet president pas skadimit të mandatit të presidentit Thaçi më 2021.

Sakaqë, tash e një kohë të gjatë nënkryetari i LDK’së Lutfi Haziri dhe ministrat e AAK’së, e deputetët e kësaj partie janë duke diskutuar se nga ‘zyret e kujt’ do të kalojë emri i presidentit, derisa dy palët favorizojnë ‘zyret’ e tyre, shkruan Gazeta Metro.

Ditë më parë nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se emri i kryeministrit dhe i presidentit të Kosovës kalojnë nëpër zyret e LDK’së. Ai kujtoi deklaratën e tij pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 kur tha se emri i kryeministrit kalon nëpër zyret e LDK’së.

“Jo vetëm sot, por edhe 10 vjet e them këtë. Jo vetëm kryeministri, por edhe presidenti kalon nga zyret e LDK’së. Thaci e ka kuptuar këtë. Andaj ai bëri koalicion me LDK’në dhe u bë president. Edhe presidenti i ardhshëm duhet të bëjë këtë”, ishte shpehur Haziri, duke nxitur një debat tash e disa javë mes partnerëve qeverisës.

Pas Hazirit edhe ministri Selim Selimi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është përfshirë në këtë debat duke iu përgjigjur Hazirit, duke thënë se deklarata e tij është korrekte, derisa ka shtuar se çdo emër për president kalon nëpër zyrat e LDK’së, AAK”së e Nismës.

“Deklarata e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Hazirit është korrekte. Sepse çdo emër për president kalon nëpër zyrat e LDK-së ashtu siç kalon edhe nëpër zyret e AAK’së, e edhe në zyrat e Nismës”, kishte thënë Selimi.

AAK’ja iu është përgjigjur nënkryetarit të LDK’së, Lutfi Hazirit, edhe përmes Zëvendëskryeministrti Besnik Tahiri
Ky i fundit tha se duhet të punohet në mënyrë transparente e se LDK’ja tashmë i ka dy pozita të rëndësishme, kryeministrin dhe kryeparlamentarin.

“Nuk folet bre kështu, qysh kalon, s’bahet presidenti pa AAK’në a e ka LDK kryeministrin edhe kryeparlamentarin, nuk bon me fol kshtu, nuk punohet kshtu. Punohet në mënyrë transparente”, ka thënë ai në T7.

Ndërsa, edhe nga PDK’ja është kyçyr në debat virtualisht. Deputeti i opozitës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se cfarëdo diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pasë Presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është joetik, shkruan Gazeta Metro.

“Kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës, me kërkesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm tregojnë shumë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato, por edhe janë dëshmi e mosbesimit të thellë që kanë qytetarët ndaj tyre”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook.

Me 12 gusht, Ramush Haradinaj nga AAK’ja shpalli kandidaturën për të parin e vendit. Kështu është thënë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj partie të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.

Vetë Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook e ka konfirmuar se mund të jetë kandidat për president.

“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar Haradinaj.

Por si zgjidhet presidenti i Kosovës?

Presidenti i Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.

Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

Kujtojmë që çështja e presidentit ishte shndërruar në “mollë sherri” edhe mes partnerëve të koalicionit edhe gjatë kohës së qeverisë Kurti, ndërsa kjo pozitë me ngulm kërkohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës./gazetametro.net

0 comment

You may also like

Leave a Comment