Home Lajme Takimi në Washington: Dialog për ekonomi – pa Ministër të Ekonomisë

Takimi në Washington: Dialog për ekonomi – pa Ministër të Ekonomisë

by rks2008

Delegacioni i Kosovës udhëtoi dje në Washington për takimin e paraparë më 4 shtator në kuadër të etapës finale të dialogut me Serbinë.

Kryeministri Avdullah Hoti është kryesues, ndërsa pjesë e ekipit janë: Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimi dhe Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, Ministrja Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri Selim Selimi nga radhët e AAK-së, si dhe Ministri i Infrastrukturës nga LDK, Arban Abrashi.

Në delegacion bëjnë pjesë edhe Koordinatori Shtetëror, Skender Hyseni, dhe Shefja e kabinetit të Kryeministrit, Ardita Dushi.

Nga zyra e Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, ditë më parë konfirmuan për klankosova.tv se në takim do të bisedohet për progres në çështjet ekonomike.

Mirëpo, sa ka kuptim që në bisedime kaq të rëndësishme për çështje ekonomike të mos jetë i pranishëm edhe personi më përgjegjës për ekonomi në Qeverinë e Kosovës – Ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi?

Klan Kosova ka provuar të marrë versionin zyrtar për mospjesëmarrjen e Kuçit në takimin në Washington, por ai gjatë gjithë ditës ka qenë i pakontaktueshëm.

Edhe në kabinetin e tij kanë refuzuar të flasin për këtë çështje.

Mungesa e Ministrit Blerim Kuçi në ekipin kosovar nuk shihet me sy të mirë nga Safet Gërxhaliu, njohës i çështjeve të ekonomisë.

”Duhet të kuptohet që Serbia ka një diplomaci shumë të fuqishme ekonomike. Dhe nëse shihet struktura e delegacionit tonë që përfaqëson Kosovën, nuk jep hapësirë për të pritur me optimizëm. Flitet për marrëveshje ekonomike dhe aty nuk merr pjesë as Ministrja e Financave, as ai i Ekonomisë”.

Sipas Zekirja Shabanit, analist i specializuar në ekonomi, është ende e paqartë përmbajtja e takimit, por është hap i mirë që Kosova i është përgjigjur ftesës për 4 shtator.

”Kam përshtypjen që edhe delegacioni i Kosovës nuk e di saktësisht për çfarë ka udhëtuar në Washington”.

Si rezultat, ai nuk i konsideron me ndikim emrat e pjesëmarrësve në këtë ekip dialogues.

”Derisa në ekipin përfaqësues të Kosovës janë imponuar pjesëmarrës të partive politike për shkak të kërkesave të partnerëve të koalicionit – e jo për shkak të agjendës, kjo tregon për pafuqinë e kryeministrit për të formuar një ekip reprezentativ kompetent”.

Gërxhaliu shprehet skeptik për zbatueshmërinë e një ujdie të mundshme e cila do të mund të rezultojë nga ky takim.

”Ka pasur marrëveshje të shumta ekonomike të nënshkruara, por problem është zbatimi i tyre. Derisa Serbia nuk e njeh Kosovën vështirë se ato mund të jenë të implementueshme”.

”Nuk dua të besoj që në Amerikë shkohet për t’u pajtuar, apo për të mos u pajtuar. Mirëpo, pa zgjidhjen e raporteve mes Kosovës e Serbisë çështja e Ballkanit mbetet peng”, deklaroi ai për klankosova.tv.

Ndërsa Shabani vlerëson se marrëveshja e karakterit ekonomik do duhej t’i sillte Kosovës argumente të rëndësishme për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

”Kosova në këtë takim do të duhej të fitonte garanci për marrëveshje përfundimtare me Serbinë që i hapin rrugë ndërtimit të raporteve ndërshtetërore. Megjithatë, pres që në këtë takim të shpalosen plane konkrete ekonomike që stimulojnë të dyja vendet me pako financiare si parakusht për normalizim të marrëdhënieve”.

”Që nga viti 2011 kemi një varg marrëveshjesh të nënshkruara mes dy palëve, që përfshijnë edhe përmirësimin e raporteve ekonomike, por që nuk kanë çuar në njohje. Prandaj, janë krejt të parëndësishëm emrat e pjesëmarrësve në delegacion, aq më tepër kur në Kosovë pozicionet e ministrave përcaktohen sa për të përmbushur apetitet politike e jo për të përmbushur detyrat ndaj qytetarëve”.

Meqë takimi në Shtëpinë e Bardhë parashihet të zhvillohet mes Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, analisti Shabani thotë se të gjithë përfaqësuesit tjerë do jenë vetëm përcjellës – pa ndonjë agjendë.

0 comment

You may also like

Leave a Comment