Home Kosovë I vetëm në kamion e në lëvizje, dënohet nga Policia për mosmbajtje të maskës

I vetëm në kamion e në lëvizje, dënohet nga Policia për mosmbajtje të maskës

by rks2008

Një qytetar i rajonit të Prizrenit sot është dënuar nga Policia e Kosovës për mosmbajtje të maskës me 35 euro gjobë, ani pse ai ishte i vetëm në kamion dhe në lëvizje.Rastin e ka raportuar në KALLXO.com vetë qytetari i cili është nga Krusha e Madhe por që ishte në Dragash duke punuar me kamionin e kompanisë.“Isha me kamion të firmës, sa dola në rrugë më ndalën policia. Unë e pata maskën vetëm kështu te mjekra, jo të vendosur komplet dhe isha i vetëm në kamion. I thash për çfarë arsye më ndalët, më tha për mosmbajtje të maskës”, ka thënë ai.

Ai deklaroi se nuk kishte informata se do të gjobitej nëse është në lëvizje dhe në kamion ndërsa thotë se edhe policët kur e dënuan nuk e dinin se si është e rregulluar me ligj kjo çështje.“Unë u thash që nuk e kam ditë që edhe kur je i vetëm në kamion gjobitesh. Polici më tha që as unë vetë nuk e di sepse që katër ditë është marrë vendimi, po e kemi urdhër me dënu për mosmbajtje të maskës”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në nenin 24 i cili flet për lëvizjen në oraret e përcaktuara, pika 5 e parasheh edhe gjobitjen e atyre që nuk mbajnë maskë. Ndonëse, në këtë nen nuk përcaktohet se në cilat vende dhe raste mund të gjobiten qytetarët.“Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetepesë (35) euro”, thuhet në Ligj.

KALLXO.com lidhur me dënimin e qytetarit nga Krusha e Madhe ka kontaktuar me Shaban Osmanollaj, zyrtar për informim i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit.Ai ka thënë se tash për tash nuk kanë ndonjë shpjegim se në cilat raste ka përjashtime për mosmbajtjen e maskës ndërsa shtoi se qytetarët kanë të drejtë të ankohen për gjobat që u shqiptohen.

“Maska është e obliguar me mbajt sipas ligjit, pa marrë parasysh kudo që je, sidomos në qarkullim, je i obliguar me pasë maskën. Komentar të këtij ligji ne nuk kemi, ne e japim gjobën në bazë të ligjit, ai ka të drejtë ankese në stacionin më të afërt, komisioni vendos a ka drejtë a s’ka, sepse ende nuk kemi komentar të këtij ligji”, ka deklaruar Osmanollaj.Sipas tij, deri më tani në rajonin e Prizrenit janë shqiptuar mbi 300 gjoba për mosmbajtje të maskës.

“Deri më tani nuk kemi pas ndonjë ankesë, prej datës 28 kanë qenë diku 338 gjoba për mosmbajtje të maskës që janë vendos, deri më tani nuk kemi pasë ndonjë ankesë”, tha ai.

0 comment

You may also like

Leave a Comment