Home Kosovë Rikthehet përplasja mes Bekim Jasharit e Sami Lushtakut në Skënderaj

Rikthehet përplasja mes Bekim Jasharit e Sami Lushtakut në Skënderaj

by rks2008

Në Skenderaj janë rikthyer përplasjet e vjetra në mes të kreut të kësaj Komune, Bekim Jasharit dhe kreu të Degës së PDK’së në këtë Skenderaj, Sami Lushtakut.

Jashari përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar ka akuzuar për shpifje degën e PDK’së, derisa ka thurur kritika edhe për qeverisjen e Sami Lushtakut.

“Pra ish qeverisja Lushtaku nuk kishte arritur që për 8 vite të bëjë një fshat me ujë të pijshëm, kurse me Kryetarin Jashari brenda 3 viteve janë bërë me ujë të pijshëm 14 fshatra”, ka shkruar Jashari në reagimin e tij.

Tutje Jashari ka numëruar Sami Lushtakut edhe një sërë çështjes që sipas tij ai ka dështuar gjatë kohë sa ka qenë kryetar i Skenderajt.

Kreu i Komunës së Skënderajt ka reaguas pas kritikave që ka marrë nga Dega e PDK’së për keq qeverisje.

Reagimi i plotë:

Përgjigje ndaj shpifjeve të degës së PDK-së në Skenderaj

Përmes kësaj komunikate Kabineti i kryetarit, Bekim Jashari, hedh poshtë të gjitha shpifjet e PDK-së, dega në Skenderaj dhe njëherit paraqet realitetin e udhëheqjes së komunës së Skenderajt.

Kabineti i kryetarit, Bekim Jashari, sqaron opinionin publik se të gjitha deklaratat e Kryetarit Jashari, të prezantuara në dëgjimin buxhetor për vitin 2021(të mbajtur me datë 26.08.2020), në lidhje me borxhin e trashëguar janë të vërteta dhe argumentohen me dokumente konkrete, në mesin e tyre të lëshuara edhe në emër të ish Kryetarit të komunës së Skenderajt, në të cilin dokument konfirmohet se që nga vitit 2015 ka borxhe të pa paguara (dokumenti i bashkangjitur).

Sipas Ligjit mbi Menaxhimin e Financave Publike, nr. 03/L-048, neni 39, organizata buxhetore është përgjegjëse që çdo faturë të pranuar ta paguajë brenda 30 ditëve, kurse në kohën kur ka filluar qeverisja e Kryetarit Jashari ishin mbi 1 milion euro fatura të pranuara dhe të pa paguara, dhe shumë tjera që ishin dërguar tek përmbaruesit privat nga operatorët ekonomik.

Shumica e obligimeve nga ish qeverisja ishin borxhe për projektet që kishin përfunduar dhe nuk ishin paguar me kohë brenda vitit kur është bërë shpenzimi dhe kur është dashur të paguhen sipas Ligjit mbi Menaxhimin e Financave Publike.

Kur jemi tek të hyrat për vitin 2018-2019 si qeverisje e re kemi pasur rritje në të gjitha kategoritë e të hyrave në përjashtim të të hyrave nga koncesioni, si e hyrë e njëhershme për të cilin është dhënë pronë komunale.

Në lidhje me akuzat e degës së PDK-së në Skenderaj, rreth projektit të ujësjellësit “Shipol- Brus”, komuna e Skenderajt, nën udhëheqjen e Kryetarit Jashari, në Shipol ka përfunduar gypin shtesë apo gypin furnizues për Skenderaj, nga rezervuari qendror deri tek stacioni i pompimit, rregullimi i stacionit të ri të pompimit si dhe ri- aftësimi i pompës nga 100 litra në sekond në 202 litra në sekond, kurse në Brus komuna ka realizuar të gjitha obligimet e saj, që lidheshin me shpronësimin e tokave ndërsa obligimet tjera janë në përgjithësi të Qeverisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Në lidhje me këtë në qeverisjen e Kryetarit Jashari janë bërë me ujë të pijshëm 14 fshatra, në mesin e tyre edhe Polaci, për të cilin fshat kishte filluar projekti 8 vite para qeverisjes Jashari, por që nuk ishte realizuar si pasojë e keqpërdorimeve nga ish qeverisja, kurse me ardhjen e Kryetarit Jashari ky fshat është bërë me ujë të pijshëm.

Për të bërë dallimin mes keq qeverisjes së ish Kryetarit Lushtaku dhe qeverisjes së mirë të Kryetarit Jashari tregon fakti që në kohën e Kryetarit Lushtaku, me buxhet të komunës, një km ujësjellës ka kushtuar rreth 30 mijë euro, kurse në kohën e qeverisjes së Kryetarit Jashari, falë bashkëpunimit të sinqertë dhe transparent me donatorë, me financimin e Qeverinë Zvicerane në projektin e ujësjellësit në 10 fshatra, një km ujësjellës ka kushtuar 10 mijë euro, pra 3 herë më lirë. Kjo tregon se sa e ka kursyer ish Kryetari Lushtaku paranë publike.

Pra ish qeverisja Lushtaku nuk kishte arritur që për 8 vite të bëjë një fshat me ujë të pijshëm, kurse me Kryetarin Jashari brenda 3 viteve janë bërë me ujë të pijshëm 14 fshatra.

Po ashtu deri vitin tjetër ky numër arrin në 24 fshatra, pasi që falë bashkëpunimit me donatorët ndërkombëtar këtë vit ka filluar edhe projekti i ujësjellësit në 10 fshatra tjera duke përfshirë: Llaushën, Rezallën, Aqarevën, Obrinë e Poshtme, Likocin, Ticën, Makermalin, Plluzhinën, Murgën dhe Marinën.

Kur jemi tek ndërtimi i çerdhes si projekt për të cilin PDK, dega në Skenderaj, pretendon se ka vonesa në realizim, ky projekt është donacion nga Komisioni Evropian, në kuadër të projektit të KE-së për 9 komuna, ku komuna jonë është komuna e parë që ka kompletuar të gjitha dokumentet e nevojshme të kërkuara për fillimin e projektit, kurse hapat tjerë varen nga KE.

Për të argumentuar se sa kishte prioritet ish qeverisja Lushtaku, çerdhet dhe mirëqenien e fëmijëve, tregon fakti që ish qeverisja, çerdhes së vetme në komunën tonë, “Nëna Zahide”, për interesa të ngushta grupore ia kishte marrë oborrin dhe hapësirën e fëmijëve për të zhvilluar aktivitetet e tyre, hapësirë kjo të cilën personi juridik të cilit i ishte dhënë parcela nga ish qeverisja, e ka futur në hipotekë për 12 vite, pra deri në vitin 2030.

Kur jemi tek pronat, qeverisja Jashari ka liruar shumë prona publike, të uzurpuara dhe të shfrytëzuara nga individë të caktuar, të afërt me ish pushtetin dhe nuk do të ndalet deri sa të kthehen të gjitha pronat e uzurpuara.

Për të krijuar më shumë hapësirë qëndrimi ditor për fëmijët e lagjes 2 të qytetit tonë, këtë vit po fillon ndërtimi i çerdhes tjetër, bashkëfinancim mes Komunës së Skenderajt dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe kështu qeverisja e Kryetarit Jashari ka prioritet të bëjë 3 çerdhe në qytetin tonë, për dallim nga ish qeverisja që synonte të tjetërsonte edhe atë ekzistuese.

Akuzat e PDK-së, dega Skenderaj, rreth buxhetit të shkollave, kinse komuna centralizoi buxhetin e shkollave, janë shpifje dhe nuk përkojnë me realitetin, sepse shkollat marrin pjesë në planifikim dhe shpenzim të buxhetit.

Lidhur me pretendimet që qeverisja Jashari nuk realizoi pagesat për pagat jubilare dhe përcjellëse megjithëse ishin të planifikuara me buxhet, realiteti është ndryshe. Buxheti i vitit 2018, i miratuar nga ish qeverisja në vitin 2017, nuk kishte planifikuar buxhet për paga jubilare dhe ato përcjellëse.

Përkundër kësaj, nga kursimet në mallra dhe shërbime si dhe pas vendimit të Kryetarit Jashari për ndërprerjen e meditjeve për zyrtarët komunal, qeverisja aktuale ka arritur të kursejë mbi 100 mijë euro nga kategoria e pagave, të cilat janë shfrytëzuar për tu paguar pagat jubilare dhe përcjellëse për punëtorët e arsimit, gjatë vitit 2019.

Qeverisja Jashari ka paguar për paga jubilare dhe përcjellëse edhe borxhet për të cilat ish qeverisja nuk ka shfaqur interes, kurse tani, në qeverisjen Jashari janë duke u paguar të gjitha obligimet që rrjedhin nga kontrata kolektive.

Në lidhje me nivelin e transparencës dhe performancës komunale, komuna jonë për vitin 2018 (viti i parë i qeverisjes Jashari) ka fituar grantin e performancës (grant ky i MAPL-së dhe DEMOS-it) prej 207 mijë euro, si njëra ndër komunat më të mira.

Matja e performancës komunale për vitin 2019 nuk është bërë ende kurse për vitin 2020, bëhet në vitin 2021. Pra vlerësimi i performancës bëhet çdo herë për vitin paraprak.

Gjithashtu për herë të parë në qeverisjen Jashari, bëhen publike kontratat si njëra nder komunat e pakta në Kosovë, gjithashtu për herë të parë dëgjimet buxhetore kryetari Jashari i ka mbajtur në çdo bashkësi lokale me pjesëmarrje masive të qytetarëve.

Po ashtu takimet publike mbahen sipas ligjit dhe është rritur pjesëmarrja qytetare në këto takime.

Në lidhje me pretendimet e PDK-së, dega në Skenderaj lidhur me raportin e auditimit, qeverisja e Kryetarit Jashari, qëndron shumë më mirë se sa ish qeverisja dhe se shumica e të gjeturave janë probleme nga mos menaxhimi i duhur i pasurive, obligimeve dhe hartimi i gabuar i kontratave nga ish qeverisja.

Dallimi mes ish qeverisjes Lushtaku dhe qeverisjes së tanishme të Kryetarit Jashari, është jashtëzakonisht i madh dhe për këtë janë të bindur qytetarët e komunës sonë dhe më gjerë.

Me fillimin e udhëheqjes së Kryetarit Jashari ka filluar një periudhë e re, një shpresë për qytetarët e komunës sonë, të cilët ishin të lodhur nga keq qeverisja, jo transparenca nepotizmi e korrupsioni.

Ish qeverisja komunale e ish Kryetarit Lushtaku ishte karakterizuar me keq menaxhim të parasë publike dhe buxhetit të dedikuar për projekte kapitale, parregullsi me kontrata dhe vlerësim të tenderëve, me manipulime në dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronave etj.

Me qeverisjen e Kryetarit Jashari, për herë të parë në komunën tonë kanë filluar projektet në ujësjellës dhe kanalizim në shumë fshatra.

Edhe pse kishin kaluar 19 vite nga çlirimi i vendit tonë, ishin lënë krejtësisht në harresë ata të cilët na e sollën lirinë (dëshmorët në varrezat në Polac, të cilët në udhëheqjen e Kryetarit Jashari u ri-varrosen në Kompleksin Memorial- UÇK, Marinë).

Po ashtu pas 19 viteve qytetarët e komunës së Skenderajt filluan lirshëm të shprehin mendimin e lirë, kritikat, brengat, sugjerimet dhe të trajtohen si qytetarë të lirë të shtetit tonë.

Me qeverisjen e Kryetarit Jashari, për herë të parë ka filluar edhe publikimi i kontratave të prokurimit, ndalimi i keq përdorimeve në vlerësime të kontratave dhe menaxhimin e tyre, shtrirja e rrjetit të shërbimeve për mbeturina në shumë fshatra, nga 23 % sa ishte në fillim të qeverisjes së Kryetarit Jashari, në 66 % tani, kurse deri në fund të vitit do të arrijë deri në 95 %, lirimi i hapësirave publike të uzurpuara dhe kthimi i pronave nga AKP-ja të cilat janë me interes publik, në pronësi të komunës, mbrojtja e mjedisit, përkrahja e fermerëve duke 5 fishuar buxhetin për bujqësinë (bashkë me donatorë), duke kthyer donatorët e shumtë që kishin ikur nga Skenderaj si pasojë e keq qeverisjes etj.

Qeverisja e Kryetarit Jashari mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve zhvillimore, për të mundësuar jetë më të mirë për të gjithë, çdo herë duke qenë e sinqertë, e hapur dhe transparente.

Skenderajn po e bëjmë një qytet të dëshiruar për të jetuar në të edhe ata të cilët e braktisen pas shumë përfitimeve personale dhe sot nga distanca orvaten për të nxjerrë mllefin duke shpifur.

0 comment

You may also like

Leave a Comment