Home Lajme Kurti për demarkacionin me Malin e Zi: Pesë vjet nga nënshkrimi që kushtoi 8200 hektarë

Kurti për demarkacionin me Malin e Zi: Pesë vjet nga nënshkrimi që kushtoi 8200 hektarë

by rks2008

Kurti për demarkacionin me Malin e Zi: Pesë vjet nga nënshkrimi që kushtoi 8200 hektarë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar pesë vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes nga e cila u bë demarkacioni me Malin e Zi.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se janë bërë pesë vjet nga nënshkrimi që i kushtoi vendit 8.200 hektarë tokë.

Kurti ka shkruar se edhe marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi në Vjenë, njësoj sikurse ajo e ‘Zajednicës’ me Serbinë në Bruksel, u nënshkruan gjersa Kuvendi i Kosovës ndodhej në pushim.

“Më 25 qershor të vitit 2015, patëm miratuar me shumicë votash Rezolutën e Kuvendit pas interpelancës për çështjen e Demarkacionit, pika 4 e së cilës thoshte: ‘Qeveria të raportojë në Kuvend para miratimit të elaboratit ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi’. Pra, kjo Rezolutë ishte shkelur. Ish qeveria kurrë s’erdhi në Kuvend para nënshkrimit në Vjenë më 26 gusht 2015. Zaten, integriteti territorial varet nga integriteti institucional”, ka shkruar ai.

Kurti ka deklaruar se mbi dy vjet e gjysmë rezistencë opozitare e popullore e mbi 205 mijë nënshkrime të peticionit të qytetarëve, u rrënuan nga ratifikimi me 80 vota në Kuvend më 21 mars 2018.

“E, në muajin që vjen, bëhen dy vjet e gjysmë të tjera prej kur u ratifikua demarkacioni në emër të liberalizimit të vizave e që s’duket askund as sot e kësaj dite. Sipas profesorëve Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi me atë demarkacion bëhet ndryshim i madh i kufirit sepse ai ‘Kah ana e Qafës së Çakorrit në distancë ajrore lëviz rreth 4.100 m në brendi të Kosovës, duke lënë jashtë territorit të Kosovës pellgun e Bjelluhës, Vaganicën dhe Shipovicën. Ndërsa kah ana e Kullës rreth 4.000 m në brendi të territorit të Kosovës duke lënë jashtë anët veriperëndimore të Zhlebit, të banet e Loqanit dhe një pjesë të të baneve të Gllogjanit’”, ka thënë ai.

Sipas tij, komisioni shtetëror i Kosovës ka pasur të bëjë “shenjim të kufirit”, ndërkaq ai i Malit të Zi “përcaktim kufiri, kufizim”.

Ai thotë se ishin dy komisione me misione të ndryshme, me ç’rast sipas tij, komisioni i Kosovës ka përfunduar në misionin e huaj.

“Murat Meha ka negociuar krejt gabim dhe fort keq. E ka marrë barrën e provës që me kopje të librave kadastralë dhe vetëm me to ta dëshmojë që toka jonë është e jona edhe për pjesë të territorit ku as Mali i Zi nuk ka libra kadastralë. Nuk ka qytetarë të Malit të Zi që kanë dokumente pronësie mbi atë tokë. Mbi të gjitha, kjo qasje bie ndesh edhe me konkludimin e Gjykatës së arbitrazhit ndërkombëtar. Majat e maleve, pra kurrizi i vargmaleve, dhe kriteri i ujëndarjes përcakton kufirin, jo librat kadastral të pronave private me të cilat ndahen kushërinjtë që s’arrijnë të merren vesh. Problemi i demarkacionit s’është kontest pronash private, por çështje e ndarjes së sovraniteteve”, ka shkruar Kurti.

E, sipas tij, sot nuk shënohet pesë vjetori i shënjimit të vijës kufitare, por të caktimit të vijës së re kufitare, të ndryshimit të kufirit të Kosovës.

“Dhe, nuk mund të thirret askush në sipërfaqe komunash që mblidhen. Kufiri përcakton sipërfaqen e jo anasjelltas. Një sipërfaqe e caktuar ka kufij të papërcaktuar sepse mund të ketë forma të ndryshme. Por, kufijtë e caktuar përkufizojnë edhe formë edhe sipërfaqe të caktuar”, ka shkruar ai.

“Raporti dhe puna e Komisionit Bulliqi është aktakuzë për regjimin e vjetër (porsa të çlirohet prokuroria e shtetit) dhe orientim për korrigjim (porsa të rikthehet qeveria e mirë)”, ka shtuar ai.

0 comment

You may also like

Leave a Comment