Home Lajme Kryeziu: Vetëvendosje ka pranuar ftesë nga Hoti për të qenë pjesë në dialogun Kosovë-Serbi

Kryeziu: Vetëvendosje ka pranuar ftesë nga Hoti për të qenë pjesë në dialogun Kosovë-Serbi

by rks2008

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, ka bërë të ditur se kjo parti ka marrë ftesë nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, që të marrë pjesë në dialogun Kosovë-Serbi më 4 shtator në Uashington si dhe më 7 shtator në Bruksel.

Kryeziu përmes një postimi në Facebook ka shkruar se LVV nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese, pasi sipas tij, Qeveria Hoti nuk është legjitime.

“Thirrjet e kësaj qeverie për unitet dhe gjithë përfshirje, sfidohen nga vet veprimet dhe shterpësia e saj. Kjo qeveri është jo legjitime dhe jokredibile, pasi që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe nuk buron nga vota e tij në zgjedhjet e fundit.

I mungon platforma me parime dhe vija të kuqe për procesin e dialogut – ndonëse një dokument të tillë e parasheh në programin e saj qeverisës. Nuk ka mbështetje të gjerë në Kuvend ku është e varur nga secila votë e Listës Serbe, dhe i është nënshtruar Serbisë dhe çdo kërkese të saj deri më tani”, ka shkruar ai më tej.

Sipas tij, Qeveri Hoti nuk ka plan as përgatitje për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Përkundër faktit se prioritetet e Kosovës duhet të jenë menaxhimi efikas i pandemisë COVID-19, rimëkëmbja ekonomike, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, dhe zhvillimit socio-ekonomik, se kjo qeveri plotësisht e “çorientuar dhe duke dështuar në secilin rrafsh po i jep vëmendje të pakushtëzuar një procesi për të cilin as nuk ka planifikim, as përgatitje, as mbështetje por as legjitimitet”, tha Kryeziu.

Arsyet që sipas Kryeziut LVV nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese është që Kosova nuk mund të dialogojë me Serbinë pa u mbajtur zgjedhjet e parakohshme.

“Pozicioni ynë në këtë çështje është i qartë. Kosova mund të dialogojë me Serbinë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme kur do të kemi qeveri me legjitimitet të plotë, që harton, prezanton dhe siguron unitet përmes një platforme që merr mbështetjen e 2/3 të deputetëve në Kuvend si dhe duke u nisur gjithnjë nga reciprociteti si parim i marrëdhënieve të barabarta ndërshtetërore.”, ka thënë në fund Kryeziu.

Në muajin shtator, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington pritet që të zhvillohet një takim mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por në këtë takim është thënë nga të gjitha palët se do të diskutohet vetëm për çështje ekonomike.

Në Bruksel, poashtu është paraparë një takim i nivelit të lartë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo edhe atje, në takimin e parë u tha që u diskutua për çështje të ekonomisë, të pagjeturit si dhe dëmet e luftës.

0 comment

You may also like

Leave a Comment