Home Kosovë “Zbulohet” shkaktari i vdekjes së 4 pacientëve në Klinikën Infektive

“Zbulohet” shkaktari i vdekjes së 4 pacientëve në Klinikën Infektive

by rks2008

Më datën 11 korrik, 6 ditë pas vdekjes së dyshimtë të katër pacientëve në Klinikën Infektive, është bërë një vlerësim i nivelit të oksigjenit në njësinë intensive dhe repartet E dhe F të kësaj klinike të cilat furnizohen nga i njëjti rrjet.

Gazeta ka siguruar një dokument të shkëmbimit të email-ave ndërmjet kompanisë “Ego Elsa” dhe zyrtarëve të shërbimeve teknike të QKUK-së. Kjo kompani ka kontratë me QKUK-në nga dhjetori i vitit të kaluar për mirëmbajtjen dhe servisimin e cisternave dhe rrjetit të gypave të oksigjenit në të gjitha klinikat.

Në këtë dokument kompania njofton zyrtarët e QKUK-së se pas vlerësimit të nivelit të oksigjenit më datën 11 korrik, është konstatuar se intensiva dhe repartet E dhe F të cilat furnizohen nga i njëjti gyp, nuk kanë nivel të mjaftueshëm të shtypjes.

Në dokument thuhet se sistemi i oksigjenit mund të furnizojë normalisht vetëm tre pacientë në respiratorë, ndërsa në reparte nevojiten floumetra.

“Pas kërkesës suaj për të bërë një kontrollë të kapaciteteve momentale në Klinikën Infektive të rampave kontrolluese deri tek outletet e sistemit të gazrave medicinale, ne japim një mendim në bazë të matjeve mekanike që kapaciteti i sistemit të furnizimit në Njësinë e Intensivës së bashku me repartin E dhe F, të cilat janë të lidhura në të njëjtën rampe kontrolluese për momentin furnizon normalisht me oksigjen 3 pacientë në Mjekimin Intensiv me respiratorë ndërsa reparti E dhe F me floumetra”, thuhet në këtë dokument.

Floumetri është një instrument i cili mundëson rregullimin dhe menaxhimin e nivelit të oksigjenit tek pacientët në reparte.

Zyrtarët në këtë shkëmbim të email-ave i kërkojnë kompanisë “Ego Elsa” të jap një mendim për ndonjë alternativë për furnizimin normal të pacientëve me oksigjen. Kompania ka kthyer përgjigje se mund të trajtohen 6 pacientë në respiratorë në intensivë, por me kusht që në reparte të mos ngarkohet sistemi i furnizimit me kapacitete maksimale.

Gazeta Shneta ka kërkuar sqarime nga QKUK dhe kompania për këtë inspektim që është bërë më datën 11 korrik, 6 ditë pas ngjarjes tragjike ku ndërruan jetë 4 pacientë në Infektivë, por asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.

Gazeta ka insistuar të dijë pse nuk është bërë një vlerësim i tillë edhe para datës 5 korrik, çfarë është duke bërë menaxhmenti i QKUK-së për ta rregulluar këtë problem, si dhe nëse do të vlerësohet niveli i oksigjenit edhe në njësi të tjera duke pas parasyshë se rënie të nivelit të oksigjenit ka pas edhe në Mjekësinë Sportive.

Kujtojmë se QKUK është duke i larguar pacientët nga Mjekësia Sportive të cilët po transferohen në Mjekimin Intensiv Qendror. Gazeta jozyrtarisht ka mësuar se një gjë e tillë është bërë pikërisht për shkak të nivelit të oksigjenit, pasi sistemi nuk ka mundur ta përballojë ngarkesën e madhe me pacientët e sëmurë me Covid-19.

Kujtojmë se më 5 korrik kanë ndërruar jetë katër pacientë në Klinikën Infektive. Dyshimet e para janë lidhur me rënien e nivelit të oksigjenit në intensivë ku po trajtoheshin pacientët.

Stafi kujdestar në natën kritike kishte ftuar Policinë e Kosovës për të hetuar rastin pas dyshimeve pasi pacientët kishin vdekur në të njëjtën kohë.

Rasti po hetohet edhe nga prokuroria e cila pati urdhëruar obduksionin për pacientët e vdekur, por deri më tani nuk ka asnjë rezultat.

0 comment

You may also like

Leave a Comment