Home Kosovë Komuna e Drenasit nuk i punësoi vullnetarët që shërbyen në luftën kundër COVID-19

Komuna e Drenasit nuk i punësoi vullnetarët që shërbyen në luftën kundër COVID-19

by rks2008

Shqipdona Xhinovci- Nishori, Agnesa Mulaku dhe Lirim Krasniqi, vullnetarë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komoran nuk arritën të pranohen në konkursin për infermier në QKMF-në “Dr. Hafir Shala” në Drenas.

Të tre vullnetarët në një prononcim të përbashkët për KALLXO.com janë shprehur të zhgënjyer nga Komuna e tyre pasi angazhimi në luftën kundër COVID-19 që nga shpërthimi i saj në muajin mars, nuk u morë parasysh në një konkurs të shpallur në muajin korrik.

Ndonëse në kohën kur të tre i ishin bashkuar thirrjes së kryetarit Ramiz Lladrovci për vullnetarë shëndetësor u quajtën edhe “heronj”.

“Kemi fillu punën prej fillimit të pandemisë, me orar të zgjatur 12 orë në ditë, me ndërrime ditën dhe natën.

Përveç kësaj kemi bërë vet-izolimin nëpër shtëpi të personave me virusin Covid-19, kemi shku edhe në Aeroportin e Prishtinës 5 muaj me radhë kemi matë temperaturën personave që janë ardhur nga jashtë e sidomos nga vendet kritike me këtë virus, jemi angazhu me ndihmu personelin shëndetësor në çdo vend ku ata kanë pasur nevojë, e sot ne që u quajtëm “heronj” nuk u morën për bazë mundi për të cilën pavarësisht kësaj nuk pendohemi sepse në fund të ditës këtë kemi zgjedhur si profesion”, kanë deklaruar për KALLXO.com

Ata thonë se atyre u kishin dhënë edhe shpresa në fillim, se në bazë të angazhimit të tyre do të kenë përparësi në punësim.

“Kemi rreziku veten dhe familjarët vetëm që ta ndihmojnë vendin nga kjo luftë. Në kohën kur të gjithë punëtorët shëndetësorë janë shpërblyer me shtesa nga 300 euro për kontributin e tyre, na të tre, nuk u shpërblyem në asnjë mënyrë madje as me shpresë për punë, edhe pse na premtuan se do të kem përparësi, madje thanë që emrat e tonë i kanë dërguar edhe në Ministri, por në fund nuk fituam asgjë, përpos zhgënjim se vendi ynë nuk na vlerëson”, janë shprehur tutje.

Ndërkaq, Zyra për Informim në Komunën e Drenasit në një përgjigje për KALLXO.com nuk ka dhënë ndonjë arsyetim se përse nuk i punësuan tre kandidatët në fjalë.

“Kandidatët i janë nënshtruar konkursit nr 520 të datës 07.07.2020 për plotësimin e 7 vendeve të lira të punës për Doktorë të Mjekësisë dhe 3 vende të lira për Infermierë (me kohë të pacaktuar) në Kujdesin Parësor Shëndetësor- Drenas. Konkursi është zhvilluar sipas procedurave ligjore të rekrutimit, dhe komisioni ka bërë vlerësimin sipas kritereve të parapara me konkurs, rezultate të cilat janë bërë publike në ueb faqen e komunës”, thuhet në përgjigjen elektronike.

“Sa i përket çështjes së angazhimit vullnetar, ka qenë gatishmëri e tyre vullnetare për të kontribuar gjatë pandemisë dhe nuk kanë qenë të vetmit. Komuna e Drenasit e ka vlerësuar dhe çmon lartë kontributin vullnetar të secilit në këtë periudhë të pandemisë”, vijon tutje përgjigja.

Konkursi i shpallur me 7 korrik 2020 për pozitën e Infermier kërkohej diploma Bachelor (Bsc) në Infermieri, shkolla e mesme e mjekësisë së përgjithshme, licenca e punës e lëshuar nga MSh ose OIK, letërnjoftimi, certifikata që nuk është nën hetime lëshuar nga Gjykata dhe certifikata shëndetësore. Rezultatet e shpallura në faqen zyrtare të Komunës janë publikuar më 17 gusht.

Në kohën kritike nga situata me COVID-19, kryetari Lladrovci kishte bërë thirrje të gjithë studentevë të mjekësisë  apo të tjerë profesionistë që janë pjesë e fushës së shëndetësisë, “që të japin kontributin e tyre për të tejkaluar këtë gjendje bashkë, sigurt dhe në mënyrë profesionale”.

“Në qoftë se mjekët i quajmë heronj, vullnetarizimi është edhe më heroizëm. Ju jeni ata që e bëni krenar vendin”, kishte thënë Lladrovci më 17 mars.

0 comment

You may also like

Leave a Comment