Home Kosovë Dy muaj pasi u largua nga puna pronari i kompanisë i kërkon punëtorit 170 eurot e Pakos Emergjente

Dy muaj pasi u largua nga puna pronari i kompanisë i kërkon punëtorit 170 eurot e Pakos Emergjente

by rks2008

Egzon A., ish-punëtor në ndërmarrjen “Swiss Group Shpk” në Livagje të Qagllavicës, i cili posedonte kontratë pune nga kompania në fjalë deri më datën 31 dhjetor 2020, është larguar nga puna në muajin qershor me arsyetimin se për shkak të pandemisë duhet të punohet me staf të reduktuar.

Por, edhe pse ai u largua nga puna në qershor, pagesa e fundit e ekzektuar nga Qeveria javën e kaluar me vlerë 170 euro në kuadër të Pakos Emergjente për muajin maj, iu kërkua t’i dorëzohet kompanisë në fjalë me arsyetimin e se kjo pagë i takon kompanisë.

“Administratori i kompanisë ku kam punuar më ka thirrur me 8 gusht në ora 09:40. Unë në këtë kohë nuk kam qenë duke punuar prej 20 qershorit, se më ka larguar pronari nga puna, për shkak të reduktimit të stafit.

Administratori më tha se pronari i kompanisë ku kam punuar po e kërkon rrogën e shtetit me vlerë 170 euro, edhe jo veç ty po krejt punëtorëve që u takon kjo pako.

Përderisa e keni marrë pakon e parë, të dytën duhet me ia dhënë pronarit, se i takon kompanisë”, e shpjegoi Egzoni rastin e kërkimit të parave nga kompania në fjalë.

“Edhe i kam thënë fatkeqësisht i nderuar, fabrika më ka lënë mua e jo unë fabrikën, kështu që këto para më takojnë mua përderisa jam i papunë. Sa për informata tjera merruni me shtetin. Adminstratori tha se kështu e kemi urdhërin prej pronarit”, tha Egzoni.

Sipas tij, nuk e kanë detyruar me dhunë apo kërcënime që t’i dhurohet paga por me fjalë të buta, duke e inkurajuar që 170 euroshin të ia dorëzojë kompanisë.

“Nuk më ka detyruar veç më kanë urdhëruar me fjalë të buta që këtë pagë të ia dorëzojë kompanisë”, tha ai.

Sipas Egzonit, ai u largua nga puna pa paralajmërim me 20 qershor dhe që nga ajo kohë ai është i papunë. Ai për KALLXO.com tha se njërën pagë nga pakoja emergjente me vlerë 170 euro e ka marrë në fillim të pandemisë ndërsa këtë për muajin maj e ka marrë javën e kaluar.

Në një bisedë në mes të pronarit të kompanisë dhe një familjari të Egzonit, pronari thotë se kjo pagë i takon kompanisë dhe se paga e parë nga Pakoja Emergjente ka qenë për punëtorin.

“Sot ia kishit lyp djalit paret a?” thotë familjari në bisedën e inçizuar.

“Krejt i kanë marrë paret e veta. Një rrogë e ka marrë Egzoni prej shtetit, kur ka pushuar jo veç Egzoni po krejt firma. Këta kanë gabu ja kanë vendos punëtorëve apet.

Këtë pagë ia kanë depozitu firmës e tjetra i shkon punëtorit”, thotë pronari në bashkëbisedim me familjarin e ish-punëtorit.

Pronari i kompanisë Ibish Bërbati i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë se paratë ia ka kërkuar kur prindi i Egzonit e ka thirrur në telefon. Por sipas tij ky ka qenë një gabim, sepse nuk ka qenë i sigurt, vetëm se ka folur me fjalët e kontabilistit që kjo pako i takon kompanisë.

“Unë nuk e kam kontaktuar. E ka kontaktuar kontabilisti. Egzonin nuk e kam kontaktuar të betohem me jetë. Kontabilisti e ka thirr, nuk jemi në ngjarje çka ka bo ai.

Ai në fakt e ka marr rrogën e marsit, kur na i kemi vendos rrogat e plota. Nuk ia kam kërkuar unë. Nuk ka shanca me dëshmu që i kam kërkuar unë. Nuk ka shanca që ia kam kërkuar unë.

A ka gabu kontabilisti a çka ka bo, është punë e tij. Mua më ka thirr prindi i tij veç i kam thënë qysh më tha kontabilisti, që paret i takojnë firmës”, tha Bërbati.

Në pyetjen se a e keni me ja kërku pagën punëtorit Bërbati tha se nuk do ia kërkoj pagën.

“Unë as nuk e kam kërkuar. Aplikacionin ta dëshmon kontabilisti”, tha Bërbati.

Në videon e inçizuar ku pronari i thotë prindit të Egzonit se paratë i takojnë firmës, Bërbati thotë se e kishte thënë gabim dhe se kishe folur me fjalë të kontabilistit.

Ndërsa kur KALLXO.com insiston ta ketë numrin kontaktues të kontabilistit ai nuk pranon ta jap numrin e tij, me arsyetimin se kontabilisti është në muaj të mjaltit.

“Me fjalë të kontabilistit po flas me ty, me ata edhe me krejt. Edhe mua po më duket interesant se kontabilisti paguhet për këtë punë edhe nuk dua me më paraqit probleme.

>Krejt informacionet që i kam thënë janë ato që i ka thënë kontabilisti im. Nëse ai ka gabuar edhe ka dashtë ta arsyetoj veten nuk është problemi im. Nuk kisha pas qejf që është në pushim, ta pengojmë me thirr për një pyetje.

Nuk kisha dasht me thirr në pushim se sapo është martuar. Nuk e kemi urgjent takoheni në javën tjetër dhe flisni.

Javën tjetër ta japi numrin edhe kontakton. Unë ta jap numrin veç në momentin kur ta përfundon pushimin. Presim deri në javën tjetër”, tha Bërbati edhe pas shumë insistimeve për ta marrë numrin e kontabilistit për ta sqaruar situatën.

Egzoni tha se këtë rast e ka paraqitur edhe në Policinë e Lipjanit, por ata i kanë thënë se nëse e kërcëonon ose ia kërkon paratë me dhunë përsëri atëherë të vij e ta paraqes rastin në Polici.

Javën e kaluar ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kishte bërë të ditur se nga 10 gushti do të nis ekzekutimi i pagesave për qytetarët dhe bizneset për muajt e papaguar nga Pakoja Emergjente për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Ministria e Financave dhe Transfereve nga Qeveria Kurti, në muajin mars kishte propozuar një pako të masave emergjente, ku si hap i parë është adresimi i problemeve ekonomike të bizneseve dhe sektorit privat.

Sipas Ministrisë së Financave, kompanitë që janë prekur nga masat, Qeveria ka vendosur që t’i asistojë me tri ndërhyrje: Mbulimin e shpenzimit të pagave, me pagën minimale prej 170 euro për muajt prill dhe maj, deri në maksimumin e 41 milionë eurove; subvencionimin e qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për dy muajt e ardhshëm me një total prej 12 milionë eurove; si dhe do t’u paguhen kontributet pensionale punëtorëve të sektorit privat që janë prekur nga masat për dy muajt e ardhshëm, në total prej 8  milionë eurove.

0 comment

You may also like

Leave a Comment