Home Kosovë Kthehet nga Franca, dëshiron të bëhet ushtar i Kosovës (VIDEO)

Kthehet nga Franca, dëshiron të bëhet ushtar i Kosovës (VIDEO)

by rks2008

Dhjetëra të rinj e të reja po presin në radhë për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar në konkursin për t’u bërë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kandidatët po respektojnë distancën dhe kanë vendosur maskat, masa këto për mbrojtje nga COVID-19.

Në mesin e tyre është edhe Bajram Gimolli, i cili është kthyer para dy javësh nga Franca.

Ai është i gatshëm ta lërë jetesën atje nëse arrin të bëhet ushtar i Kosovës.

“Kam zgjedh me apliku për ushtar sepse kam parë shumë video të luftës në vendin tonë dhe dua me mbrojt vendin tem”, thotë Gimolli.

“Jetoj në Francë por kam ardhur vetëm për shkak të aplikimit. Dëshiroj me mbrojtë vendin tim”, shton tutje Gimolli.

Ministria e Mbrojtjes në fillim të këtij muaji shpalli konkurs për rekrutë të rinj të FSK-së.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 21 gusht.

Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë kandidatët e moshës nga 18 deri në 23 vjeç.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar sot në hapësirat e kazermës “Adem Jashari”, ku kandidatët po dorëzojnë aplikacionet.

Alfred Vrellaku është një prej kandidatëve. Ai tregon arsyen pse po konkurron.

“Kam vendosur që sadopak me kontribu për vendin tim. Pasi që FSK ka mision paqeruajtës në vendin tonë mendoj që do të kontribuojmë sadopak  nëse pranohemi mendoj që është një detyrë që e meriton një person me kontribu për vendin e tij, është obligim”, tregon i riu nga Drenasi.

Edhe një i ri tjetër shpreson të pranohet në konkursin e shpallur nga Ministria e Mbrojtjes për ushtarë.

Besmir Deskaj thotë se dëshiron të ndjekë hapat e familjarëve të tij dhe t’i shërbejë vendit duke u bërë ushtar i FSK-së.

“Dëshira e gjithë familjes dhe e imja është që dikush nga familja me qenë prapë ushtar sepse në luftë, si familje njihemi që kemi kontribu për këtë vend dhe përsëri është ajo dëshira me qenë dikush në uniformë”, thotë Deskaj.

Ai thotë se xhaxhai i tij ka qenë pjesëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ndërsa shpreson që të shkojë hapave të tij nëse pranohet në këtë konkurs.

Në dhjetor të vitit 2018 është miratuar edhe Ligji për FSK-në.

Misioni i ri i FSK-së është që të mbrojë integritetin territorial të Kosovës, të jetë forcë ushtarake, multietnike e armatosur dhe të veprojë brenda dhe jashtë Kosovës.

0 comment

You may also like

Leave a Comment