Home Lajme Vetëvendosje: Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët i zbatojnë

Vetëvendosje: Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët i zbatojnë

by rks2008

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti dhe partnerët e tij qeverisës se po i vënë në zbatim kërkesat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjë e cila sipas kësaj partie, ka ndodhur edhe me rastin e ndërprerjes së punimeve në aksin rrugor Deçan-Plavë.

Në një postim në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje përkujton se Qeveria Hoti më herët mori vendim për heqjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, hoqi pastaj dorë nga fushata për njohjet e Kosovës shtet dhe tash ka ndalur edhe projektet rrugore.

“Tashmë është bërë e zakonshme për këtë qeveri të zbatojë kërkesat e Serbisë, gjë që në kontrast të plotë me indiferencën e saj ndaj kërkesave të popullit të Kosovës.

Më parë u hoq reciprociteti, pastaj u ndal fushata diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, e tani po ndalen edhe projektet rrugore. A është kjo qeveri vartëse e Vuçiqit apo çfarë? Cili është qëndrimi i atyre që mburren për patriotizëm brenda në qeveri, kur as premtimin e tyre elektoral, rrugën Deçan-Plavë nuk e ndërtojnë dot pa lejen e Serbisë? Sigurisht që s’kanë qëndrim, sepse dëshira për pushtet dhe frika nga zgjedhjet ua ka mbyllur gojën”, thekson Lëvizja Vetëvendosje.

Duke kujtuar se banorët e Deçanit kanë nevojë për investime dhe infrastrukturë, e lidhja e Plavës me Kosovën është projekt me rëndësi kombëtare, Lëvizja Vetëvendosje thekson se Manastiri i Deçanit është po ashtu një institucion i rëndësishëm fetar, e që mbrohet nga ligji e shteti i Kosovës, andaj konfliktet e tilla nuk ka arsye fare pse të bëhen çështje ndërshtetërore.

“Institucionet e Kosovës duhet të gjejnë kompromisin e pranueshëm për palët, dhe të vazhdojnë punimet. Por një qeveri e varur nga Lista Serbe dhe nga Beogradi, e cila shquhet për paaftësinë e saj, në çdo rast po krijon mundësinë që Serbia të ndërhyjë në Kosovë.

Kjo qeveri duhet të lëshojë udhë, edhe për të mirën e banorëve të Deçanit e Plavës, edhe për të mirën e Kosovës. Çdo ditë që kalon, bëhet shumë vonë. Nuk kemi kohë për të humbur me politikanët dhe politikat e 20 viteve të fundit. Duhet të rikthehemi te qeverisja e mirë dhe përfaqësimi dinjitoz”, përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën R108, në Deçan. Një pjesë e kësaj rruge e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Ai ka vlerësuar me rëndësi jetike këtë rrugë për qytetarët e kësaj ane dhe përtej saj.

Mirëpo, nga kryeministri kërkohet që të respektohet legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Duke e ditur ndikimin e drejtpërdrejtë të kësaj rruge në ekonominë dhe në cilësinë e jetës së banorëve të Komunës së Deçanit, kryeministri Hoti e mbështet shqyrtimin e të gjitha mundësive ligjore dhe praktike në terren për ta kompletuar këtë rrugë që e lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së kryeministrit.

0 comment

You may also like

Leave a Comment