Ballina Kosovë 27 ditë të qeverisë Hoti, testet masive veç premtim

27 ditë të qeverisë Hoti, testet masive veç premtim

Nga Republika online

Deklarata

Avdullah Hoti, 3 qershor 2020: Kjo infrastrukturë duhet të ketë këto karakteristika: e para, të ketë kapacitete për të kryer numër shumë të madh testesh, si virologjike, ashtu edhe serologjike, në popullatën e përgjithshme simptomatike dhe asimptomatike, me procedura të shpejta që aktivizohen në rast të sinjalit se epidemia mund të shpërthejë”.

Armend Zemaj, 29 qershor 2020: Jemi duke përgatitur strategjinë e re të testimeve me synim që të shkojmë edhe me testime në masë.

HETIMET VAZHDOJNË

Kanë kaluar 26 ditë nga dita kur Hoti kishte premtuar se përballja me pandeminë është prioritet dhe se hapi i parë në këtë prioritet është rritja e kapaciteteve testuese. Premtimin e njëjtë e ka ripërsëritur disa herë edhe ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj.

Por, deri më tash nuk janë shtuar kapacitetet testuese. Në 24 orë e fundit janë testuar vetëm 231 mostra prej të cilave cilave 122 kanë rezultuar pozitivë apo 52% e të testuarve. Ndërkohë, IKSHPK-ja nuk është duke i testuar personat asimptomatikë.

Në fjalimin e parë si kryeministër, Avdullah Hoti kishte premtuar testime masive për COVID-19.

“Kjo infrastrukturë duhet të ketë këto karakteristika: e para, të ketë kapacitete për të kryer numër shumë të madh testesh, si virologjike, ashtu edhe serologjike, në popullatën e përgjithshme simptomatike dhe asimptomatike, me procedura të shpejta që aktivizohen në rast të sinjalit se epidemia mund të shpërthejë”, kishte thënë Hoti me 3 qershor, në ditën kur është zgjedhur kryeministër.

Hoti kishte premtuar se testime edhe në institucionet private shëndetësore e madje edhe vet-testime.

“Duhet të bëhet decentralizimi i kapaciteteve testuese në spitale rajonale, në kujdesin parësor dhe në institucione private shëndetësore, duke marrë në konsideratë edhe vendosjen e stendave të vetë testimit në publik, me të cilat do të ulej presioni ndaj sistemit tonë shëndetësor.

Kjo qasje mundëson që lehtë dhe shpejt të bëhen testime për grupet e rrezikuara, për personat që kujdesen për pacientët me sëmundje kronike dhe për personat asimptomatikë ose ata që janë në kontakt të afërt me rastet e konfirmuara”, kishte thënë Hoti.

Premtimet nuk janë ndalur. Së fundmi, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar strategji të re të testimeve për COVID-19. Zemaj ka përmendur synimin që të shkohet me testimet në masë për coronavirusin.

“Jemi duke përgatitur strategjinë e re të testimeve me synim që të shkojmë edhe me testime në masë”, theksoi ministri Zemaj të hënën në një konferencë për media.

Kreu i MSh-së, këtë strategji të testimeve e ka paralajmëruar edhe disa ditë më parë.

“Për të kaluar sa më lehtë kjo gjendje e pandemisë, shumë shpejtë do të kemi edhe strategjinë e testimit dhe avansimin e shërbimeve shëndetësore në gjithë Kosovën”, kishte shkruar ministri në Facebook pas një vizite në Klinikën Infektive të QKUK-së më datë 21 qershor.

Ministri i Shëndetësisë, gjatë raportimit në  Komisionin Parlamentar për Shëndetësi pati thënë se do të ketë rritje të testimeve për COVID-19.

Zemaj mes tjerash ishte shprehur se si masë parandaluese qeveria ka paralajmëruar që do të punojë edhe për përdorimin e testeve serologjike në masë të madhe, “në mënyrë që popullsia e përgjithshme nga zona të ndryshme të vlerësohet për gjendjen e infeksionit aktiv, njëherish për të konstautar gjendjen e imunitetit të popullatës përmes pranisë së anitrupave specifik”.

“Në kuadër të grantit, përmes Bankës Botërore është planifikuar blerja e testeve serologjike sipas kërkesës së IKSHPK-së, krahas materialeve dhe pajisjeve tjera nga ky grant që kap vlerën rreth 2 milion dollar amerikan”, ishte shprehur ai më 19 qershor.

Testet serologjike bëhen përmes analizave të gjakut, për të kuptuar nëse personat kanë pasur apo jo coronavirusin.

Përkundër premtimeve, numri i testeve të kryera brenda 24 orëve nuk është rritur. Në raportimin që bënë IKSHP-ja në baza ditore del se më së shumti janë bërë rreth 400 testime brenda një dite.

Ndërkohë, që mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë vetëm 231 mostra prej të cilave 122 kanë rezultuar pozitivë apo 52% e të testuarëve.

Përveç kësaj, me rekomandim të IKSHPK-së ka nisur zbatimi i udhëzimit të ri për testime, i cili kërkon që mos të testohen personat asimptomatik edhe nëse të njëjtit janë kontakt me persona të infektuar me COVID-19.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani në vend janë konfirmuar 2,677 raste pozitive me coronavirus.

Mos i humb

Leni koment