Ballina Sport Erzen Zyberaj, futbollisti që vrapoi 63 kilometra, nga Prishtina në Rahovec

Erzen Zyberaj, futbollisti që vrapoi 63 kilometra, nga Prishtina në Rahovec

Nga Republika online

22 maji ishte një ditë jo e zakonshme për futbollistin e KF Bashkimit nga Koretini, Erzen Zyberaj.

Kjo për faktin se kishte ardhur momenti që të përmbushte një synim të kamotshëm, vrapimin ultramaratonik nga Prishtina në Rahovec, me saktësisht në vendin e tij të lindjes – në Drenoc, raporton KOHA.

Ai e përfundoi me sukses vrapimin prej 63 kilometrave dhe atë për vetëm 5 orë e gjysmë, me ritëm mesatar të vrapimit 5.14 minuta për kilometër.

Zyberaj thotë se është shumë i kënaqur me këtë arritje, derisa thekson se vështirësinë më të madhe e kishte për shkak të veturave dhe qenve që e rrezikonin.

“Vrapimet e gjata, ultramaratonat, janë të paparashikueshme. Ka qenë e vështirë, sepse është vrapuar në asfalt që është terren i papërshtatshëm dhe dihet se ka shumë makina, prandaj ka qenë shumë e vështirë”, thotë Zyberaj. “Jam shumë i kënaqur me këtë arritje timen, diçka që e kam ëndërruar qysh moti ta bëj këtë. Qysh herët, kur kam qenë fëmijë, kam pasur dëshirë që ta testoj veten se sa mundem të vrapoj”.

Tutje ai ka krahasuar edhe futbollin me vrapimin në distanca të gjata, me ç’rast tregon se cili është më i vështirë.

“Përgatitja fizike në futboll është e domosdoshme, është elementi kyç për një futbollist, pasi patjetër duhet të jesh i përgatitur fizikisht. Por, të bësh krahasimin në mes të ultramaratonës dhe futbollit është diferencë e madhe, sepse të vraposh kaq gjatë është më e vështirë se të luash futboll”, thotë Zyberaj.

Por, për të vrapuar 63 kilometra Zyberaj ka pasur përgatitje intensive që nga fundi i marsit.

32-vjeçari thotë të ketë ushtruar në terrene malore, në vendet e preferuara të tij – Gërmi e Badovc.

Në 51 ditë stërvitje ai ka arritur të kalojë 714 kilometra, me një mesatare prej 14 kilometrash në ditë.

“Të them të drejtën edhe pse na janë ndërprerë ushtrimet ka qenë pak e vështirë për ne futbollistët. Por, e kam shfrytëzuar në maksimum këtë kohë për vrapim. Ndoshta jam dalë pak prej rregullave të Qeverisë, por kam menduar që ta shfrytëzoj këtë kohë dhe jam përgatitë shumë mirë. Kam vrapuar në Gërmi, pothuajse vazhdimisht. Kam bërë një përgatitje shumë të rëndë dhe besoj se ka pasë efekt”, është shprehur ai.

Ai thotë se kjo s’do të jetë e fundit për të, dhe synon distanca edhe më të mëdha për të testuar limitet e tij.

“Nuk e kam parashikuar që do të jetë kaq e lehtë për mua. Kam menduar se do të jetë pak më e vështirë, por nuk ishte edhe aq e vështirë siç e kam menduar. Kështu që s’besoj se kjo do të jetë e fundit për mua, në të ardhmen do të bëj diçka ende më të madhe. Njeriu nuk ka limite, nuk e di kurrë se ku i ka limitet e veta, s’duhet me u ndalë, duhet të punojë gjithnjë”, ka thënë Zyberaj.

E për tërë këtë motiv dhe dashuri për vrapimin ai zbulon se kë e ka për model.

“Ka shumë njerëz që kanë bërë gjëra të mëdha në jetë dhe që janë motivues për rininë dhe të ardhmen e tyre e të shtyjnë të punosh e me pasë vullnet. Për mua është David Goggins, një marinës amerikan, ai është një njeri fenomenal, është njëri ndër të preferuarit e mi”, thotë ai.

Zyberaj thotë se ende synon të qëndrojë në futboll, porse në të ardhmen mund të merret edhe me atletikë.

“Futbolli e ka një moshë të caktuar, porse ende po ndihem mirë dhe nuk besoj se do të ndalem me futboll edhe pak vite, ndoshta do të fillojë karrierën si trajner i futbollit, e ndoshta do të merrem me atletikë, me shtigje të gjata, maratona, por të shohim sa do të kem përkrahjen e njerëzve”, thotë Zyberaj.

Mos i humb

Leni koment